
Silvinjo nis punën për Italinë me dy seanca stërvitore
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo, kishte caktuar ditën e diel si pushim për futbollistët kuqezi. Por me të mbyllur orët e lirisë, kuqezinjtë tashmë do të përqendrohen tërësisht te Italia, me një program të ngjeshur të përgatitur nga trajneri brazilian dhe stafi i tij.
Nëse në ditët në Austri ishte punuar më shumë në aspektin fizik dhe përgatitor të lojtarëve që vinin me minutazhe të ndryshme nga klubet e tyre, në Gjermani tani vëmendja do të jetë e gjitha te taktika, duke u bazuar kryesisht te ndeshja e parë kundër Italisë.
FSHF bën të ditur se gjatë ditës së sotme, ekipi kuqezi do të ketë dy seanca stërvitore të mirëfillta në kompleksin në Kaiserau, ku po akomodohen “kuqezinjtë”.
Seanca e parë e të hënës do të nisë në ora 11:00, ndërsa e dyta do të startojë në ora 17:00. Pritet që tanimë puna të jetë e fokusuar vetëm te kundërshtari i parë në Europian dhe Silvinjo do të detajojë rreshtimin me të cilin do të përballojë skuadrën kampionë në fuqi të Europës.