
Simbolet nën sulm – kush qëndron pas prishjes së shtatores së Skënderbeut?
AA
Dëmtimi i shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në qendër të Prizrenit ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa ekspertët e sigurisë e shohin këtë incident si më shumë se një akt vandal.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, paralajmëron se ky sulm nuk duhet trajtuar si një veprim i izoluar, por si pjesë e një strategjie më të gjerë të operacioneve hibride që synojnë destabilizimin e Kosovës.
“Në shikim të parë, ky mund të duket si një akt i papërgjegjshëm i një individi, por në thelb është një komponent klasik i një operacioni hibrid që ka për qëllim goditjen e simboleve kombëtare, krijimin e ndarjeve etnike dhe erozionin e vlerave shtetëformuese”, thekson Shala në një reagim për mediat.
Shkrimi i plotë:
Sulmi ndaj Skënderbeut në Prizren – kur vandalizmi bëhet mjet i operacioneve hibride
Dëmtimi i shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prizren nuk është një akt i izoluar, por një sinjal i qartë i përshkallëzimit të një lufte të padukshme që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës. Në analizën e parë, dikush mund ta quajë këtë një akt vandal nga ndonjë individ i papërgjegjshëm, por në analizën e dytë – dhe më të thellë – ky është një komponent klasik i një operacioni destabilizues të modelit hibrid që synon krijimin e ndarjeve etnike dhe erozionin e vlerave kombëtare përmes goditjes së simboleve.
❗️Pse Prizreni? Pse Skënderbeu?
Prizreni, si një nga qytetet më multietnike në Kosovë, bart një rëndësi të veçantë strategjike. Është një hapësirë ku bashkëjetesa është ndërtuar mbi tolerancën historike, por që, njëkohësisht, mbetet vulnerabël ndaj ndërhyrjeve të jashtme që synojnë ndarjen sociale dhe tensionimin e marrëdhënieve ndërkomunitare. Për një operacion hibrid që ka në shënjestër themelet e unitetit, Prizreni është një shënjestër ideale.
Skënderbeu nuk është vetëm figurë historike – ai është simbol i qëndrueshmërisë dhe krenarisë shqiptare. Duke goditur një figurë të tillë në një qytet me kompozicion të larmishëm etnik, synimi është i dyfishtë: të fyhet identiteti kombëtar shqiptar dhe të provokohet ndjenja e përjashtimit tek komunitetet tjera, duke inskenuar ndasi artificiale.
📍 Kush përfiton nga kjo?
Strukturat që kanë kapacitet dhe interes të ndërhyjnë në këtë formë janë tashmë të njohura për institucionet e sigurisë në Kosovë. Serbia, përmes shërbimit të saj inteligjent (BIA), ka ngritur për vite të tëra rrjete informale dhe platforma të ndikimit në jug të Kosovës, duke përfshirë persona të infiltruar në shoqërinë civile, sektorin kulturor dhe religjioz. Të ashtuquajturat “veprime spontane” janë pjesë e skenarëve të dizajnuar në Beograd për të testuar reagimin institucional dhe për të prodhuar perceptimin se “Kosova nuk është e qëndrueshme”.
Ky model është parë më herët në veri të vendit, por tashmë po aplikohet në zona të tjera, duke përfshirë Prizrenin dhe Gjakovën, ku përdoret një kombinim i propagandës, provokimeve fizike dhe luftës psikologjike.
📍 Si duhet reaguar?
Akti i dëmtimit të shtatores së Skënderbeut nuk është vetëm një çështje për Policinë dhe Prokurorinë. Kjo është një çështje sigurie kombëtare. Duhet të trajtohet si incident indikator, jo si akt i izoluar. Duhet të analizohen motivet, modeli, kohëzgjatja dhe konteksti.
Institucionet duhet të ndërtojnë një hartë operacionale të targetimit të simboleve dhe hapësirave të ndjeshme – sepse këto akte nuk janë të rastësishme.
Po ashtu, duhet angazhim i menjëhershëm nga ana e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe të pushtetit lokal, që të riparohet jo vetëm shtatorja fizikisht, por të përforcohet edhe mbrojtja e hapësirave që mbartin identitetin e përbashkët të qytetarëve.
📍 Së fundi, është esenciale që opinionbërja dhe mediat të mos bien në kurthin e narrativave ndarëse, por të shërbejnë si kanale të qarta komunikimi për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të identifikuar rreziqet reale.
❗️Në kohë të paqes së brishtë, një sulm ndaj simbolit është gjithmonë një sinjal i një lufte të padukshme. Ne nuk mund të lejojmë që heshtja të bëhet armë e armikut.