Sinjali: Zyrtari i MPB-së dyshohet se u arrestua në Serbi e u kap me rreth 18 kilogramë marihuanë në veturë
Një shtetas i Republikës së Kosovës është arrestuar dy ditë më parë në pikën e kalimit kufitar në Batrovc të Serbisë, pasi i njëjti dyshohet se u kap me një sasi të madhe të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sinjali raporton duke iu referuar burimeve se bëhet fjalë për punonjësin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Drilon Berbati, i cili prej kohësh shërben në Agjencinë për Regjistrim Civil si zyrtar administrativ.
Sipas informacioneve të të njëjtit medium, personi në fjalë u kap me mbi 18 kilogramë marihuanë, të cilat ishin të fshehura në automjetin që po udhëtonte, i cili ishte me targa të shtetit të Austrisë.
Gjatë kontrollit të veturës, janë gjetur gjithsej 32 pako me narkotikë, të cilët janë sekuestruar.