Skuadra italiane shkëput kontratën me trajnerin, i cili goditi futbollistin me kokë
Humbja e Leçes ndaj Veronës në përballjen direkte për mbijetesë doli në plan të dytë pas episodit që pa si protagonist trajnerin Roberto D’Aversa. Ky i fundit, hyri në fushë dhe siç konfirmojnë pamjet, goditi me kokë sulmuesin e Veronës, Tomas Henri. Gjithçka nën sytë e arbitrit Chiffi, i cili i përjashtoi të dy me kartonë të kuq.
Episodi çoi në ndërprerje të menjëhershme të kontratës mes D’Aversa dhe Leçe-s. Klubi salentin publikoi menjëherë një shënim në të cilin dënonte gjestin e trajnerit të vet, ndërsa sot njoftoi ndarjen e rrugëve përmes një deklarate pas takimit me tashmë ish-trajnerin e verdhekuqve.
Siç raporton “Sky Sport”, seanca stërvitore e Leçe-s, e planifikuar fillimisht për mëngjesin e sotëm, është shtyrë për pasdite. Në mëngjes është zhvilluar një takim mes drejtuesve të Leçes dhe Roberto D’Aversa. Dhe me një deklaratë zyrtare, klubi njoftoi vendimin për shkarkimin e trajnerit.
“Pas ngjarjeve që ndodhën në fund të ndeshjes Leçe-Verona, klubi njofton se e ka liruar nga detyra trajnerin Roberto D’Aversa. Faleminderit trajnerit dhe stafit të tij për punën e bërë”.
Episodi i goditjes me kokë i Roberto D’Aversa ndaj Tomas Henri u filmua nga kamerat e DAZN, të cilat përjetësuan momentin pas bilbilit të fundit të Leçe-Verona.