Skuadrat mbarëshqiptare nisin rrugëtimin në garat evropiane
Plot 11 ekipe mbarëshqiptare do të matin forcat në tri kompeticionet e UEFA-s, me qëllimin për të patur një rrugëtim sa më të gjatë. Egnatia, Ballkani, Struga dhe Deçiqi, e nisin aventurën e tyre në Ligën e Kampionëve. Kampionia e Shqipërisë, Egnatia do të debutojë në Ligën e Kampioneve të mërkurën (21:00), përballë skuadrës kampione të Bosnjës, Borac Banja Luka. Në këto ndeshje nuk do të ketë tifozë udhëtues (Borac Banja Luka është pjesë e Republika Srbska) për të shmangur incidentet e mundshme.
Ballkani, kampion i Kosovës, tashmë dhe me eksperiencën e krijuar në dy pjesëmarrjet radhazi në grupet e Ligës së Konferencës, e nis aventurën europiane me statusin e skuadrës favorite. Skuadra e Ilir Dajës luan këtë të martë në Andorra, përballë Santa Koloma.
Në turin e parë të Ligës së Kampionëve janë edhe Struga Traim Lum dhe Deçiqi. Kampioni i Maqedonisë së Veriut do të luajnë të mërkurën ndeshjen e parë me Sllovan Bratislava, në Sllovaki. Ndërsa Deçiq, skuadra shqiptare e Tuzit që fitoi titullin në Malit të Zi, do të ndeshet me uellsianët e Nju Sejnts, në transfertë.
Skuadra nënkampione e Kosovës, Llapi është e vetmja që do të luajë në Ligën Evropa. Ekipi i Tahir Batatinës do të nisë aventurën europiane me polakët e Vislla Krakovit.
Në Ligën e Konferencës, do të garojnë 6 skuadra shqiptare. Partizani si nënkampion i Shqipërisë, ndeshet të enjten me Marsaxlok në “Elbasan Arena”. Vllaznia do të sfidojë islandezët e Valurit, ndërkohë që Tirana udhëton drejt Gjeorgjisë, për të matur forcat me Torpedo Kutaisin.
Drita dhe Malisheva do të përfaqësojnë Kosovën, me gjilanasit që e nisin rrugëtimin në turin e dytë, teksa do të ndeshen me skuadrën që kualifikohet mes Tikveshit dhe Breidablikut. Malisheva debuton në Europë ndaj Buduçnostit, ekipit nga Mali i Zi.
Shkëndija është skuadra e vetme shqiptare nga Maqedonia e Veriut që do të luajë në Ligën e Konferencës. Shorti i vendosi “kuqezinjtë” nga Tetova kundër armenëve të Noah./Supersport.al/