
Snopçe: Në përpjekje për të na njollosur, Mickoski dhe Fetai po njollosin veten
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në fjalimin e tij nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i ka replikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar këtë të fundit për gjuhë të papërshtatshme dhe retorikë që nuk i shkon një kreu të qeverisë.
“Para një muaji më thatë që të kem kujdes me fjalorin, se paskam qenë shumë i ashpër. Nuk e di me çfarë logjike e keni konstatuar këtë, ndërkohë që sonte, nga kjo foltore, vetë kryeministri përdori fjalë si ‘letër tualeti’ – fjalë që asnjëherë nuk i kam përdorur në jetën time,” tha Snopçe, duke i kujtuar Mickoskit se një gjuhë e tillë nuk i ka hije një kryeministri, përcjell PressOnline.al
Snopçe e theksoi rëndësinë e të vërtetës dhe drejtësisë: “Duhet të mos pengojmë që e vërteta të triumfojë. Nëse nuk lejojmë që të përulemi para të vërtetës, atëherë do të përulemi para gabimit – dhe kjo është fatale për shtetin, qytetarët dhe të ardhmen tonë,” u shpreh ai.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët shtoi se është gjithmonë në anën e drejtësisë dhe të vërtetës, ndërsa e cilësoi si “katastrofë” nivelin e përgjigjeve që ka marrë nga qeveria.
Ai e ashpërsoi edhe më tej replikën e tij nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski për shpifje dhe gjuhë fyese që nuk i takon një kreu qeverie.
“Kjo që tha nuk është gjë, katastrofë keni bërë! Mora përgjigje që nuk është e vërtetë… Zëvendëskryeministri juaj, Arben Fetai, në një emision politik në Kosovë, na quajti ‘batakçinj’. Batak do të thotë baltë, dhe kështu doni të na baltosni ne,” u shpreh Snopçe.
Snopçe theksoi se kur dikush hedh baltë mbi të tjerët, fillimisht i ndot duart e veta. “Nëse nuk thoni të vërtetën, duhet të kërkoni falje. Sepse kështu, me shpifje në një emision që ka audiencë të gjerë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe më gjerë, na fyeni të gjithë neve,” theksoi ai, përcjell PressOnline.al
Snopçe e mbylli fjalën me një thirrje për kujdes dhe përgjegjësi në komunikim publik, duke kritikuar terminologjinë që, sipas tij, ka përdorur kryeministri Mickoski dhe bashkëpunëtorët e tij.(PressOnline.al)