Sot në Shkup protestohet për krerët e UÇK-së në Hagë
Sot, duke filluar nga ora 13:00, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup do të mbahet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe, duke theksuar se kërkesa e vetme e protestës është lirimi i ish-krerëve të UÇK-së dhe vendosja e drejtësisë për ta.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka deklaruar se protesta në Shkup, ashtu si edhe ato të mbajtura në vende të tjera, është një thirrje për drejtësi.
“Qëllimi ynë i vetëm është të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët, të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne asnjëherë nuk i kemi thirrur protestat për të kundërshtuar drejtësinë, por përkundrazi, për ta kërkuar atë. Në këtë rast, ku po atakohet lufta jonë e shenjtë e UÇK-së, protestat janë thirrur për të kërkuar drejtësi. Çdo qytetar që i përgjigjet kësaj thirrjeje flet në emër të vet dhe kërkon drejtësi, sepse atje po ndodh padrejtësi,” ka thënë Jashari.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Gjykata Speciale është politike dhe ka për qëllim të dëmtojë luftën e UÇK-së, duke mos marrë parasysh krimet e kryera nga ushtria, policia dhe shteti serb në Kosovë.