“SPAK institucioni më i besueshëm”, Topi: Berisha i mbërthyer nga egoizmi patologjik, ka 34 vite në politikë
Ish-presidenti Bamir Topi ka folur lidhur me aktualitetin politik në vend, ‘luftën’ PD-PS dhe SPAK në mes.
Topi e vlerëson SPAK si institucionin më serioz në vend, ndërsa nga ana tjetër vuri theksin tek “kënetëzimi” i sistemit nga partitë tradicionale dhe simbioza mes tyre, duke e përkufizuar si një formë bipolarizimi që pengon zhvillimin demokratik dhe rotacionin e pushtetit.
‘Nisur nga eksperienca politike, dua ti ndërgjegjësoj partitë e reja. Kur futet në ato kanale, ku duhet të përballesh me parti të kënetës është e vështirë. Jo e pamundur. Duke e studiuar shumë mirë situatën e partive tradicionale, kanë kalcifikuar sistemin demokratik në Shqipëri. Përjashto ndjekësit që janë të verbër, pjesa më e madhe e shoqërisë nuk ka më asnjë lloj stime. Janë kthyer në recitivist të ngjarjeve të hidhura të Shqipërisë. Teatër butaforik që e kanë ndërtuar me shumë kujdes. Një ekuilibër për veten e tyre por jo për shoqërinë. Sikurse thonë të gjithë këto janë bashkë. Shumë gjëra i realizojnë së bashku, diku në heshtje, diku në bashkëpunim‘, tha ai në “Report TV”
Sipas Topit, Rama dhe Berisha ndihmojnë njëri-tjetrin në një përballje të butaforike, duke forcuar pozitat e tyre dhe duke margjinalizuar partitë e reja. Megjithatë, ai e sheh këtë moment si një mundësi të artë për forcat e reja politike, nëse arrijnë të ndërgjegjësohen dhe të përballen me sistemin aktual.
‘Politikisht, ky është momenti më i artë për partitë politike, ndryshe nga vitet e shkuara. Kur politika ishte pjesë e anatemuar nga shoqëria, kemi një rast të veçantë. Dy parti tradicionale në të njëjtën kënetë. Edhe në vitin 2005 pati një rrënim të pushtetit socialist, pastaj në 2013 ndodhi rotacioni tjetër. Rama pas 12 vjetësh është në simbiozë me Sali Berishën. Një përballje butaforike.
Dy përfaqësues që kanë nevojë për njëri-tjetrin. Terreni për partitë e reja i favorshëm, por ata i kanë marrë masat duke para rrezikun. E kam quajtur bipolarizim jo normal, që pengon mungesën e rotacionit. Të kujton situatën e politikë në Rusi. Kjo ka sjellë atë sigurinë që ka Edi Rama në radhë të parë, ky tjetri ka sigurinë për të qenë lider opozite. Kjo sjell dëshpërim‘, tha ai.
Sa i përket Berishës, Topi thotë se u bënë 34 vite që flitet vetëm për të.
“Kam folur pa fund. Ka 34 vjet vetëm emri i tij përmendet (Berishës). Sa presidentë të SHBA kanë lëvizur që nga viti 90. Kanë ciklin e tyre 8 vjeçar. Futu në elitën politike europiane. Nuk ndodh kjo histori. Njeriu kur futet në politike ka një ambicie që përfundon në egoizëm, por ky është egoizëm patologjik i pashpjegueshëm që tenton të krijoj iluzion tek mbështetësit që ne do vijmë në pushtet. Po i bën nder Ramës”, tha ai.
/S.T