Statistikat: Hansi Flik më i dobët se Çavi, Kuman edhe Kike Setien
Seria negative e Barcelonës, duke grumbulluar vetëm 5 nga 21 pikët e fundit të mundshme në La Liga, ka ndërprerë papritur ecurinë spektakolare që Hansi Flik e kishte me ekipin katalanas. Pavarësisht se ishte pranë barazimit të fillimit më të mirë historik të Barcelonës në La Liga, të arritur nga Tata Martino në sezonin 2013-2014, rezultatet e fundit kanë bërë që Flick të ketë shifra më të dobëta se paraardhësit e tij në stolin blaugrana.
Në total, trajneri gjerman ka humbur 5 nga 19 ndeshjet e zhvilluara në La Liga, që do të thotë se ka një përqindje prej 25% të humbjeve, më e lartë se ajo e Çavit, Kumanit apo Kike Setienit, gjatë kohës së tyre në stolin katalanas.
Çavi Hernandez, në 38 ndeshjet e sezonit të kaluar humbi vetëm 5 herë, aq sa ka humbur tashmë Flik në gjysmën e atyre ndeshjeve. Trajneri katalanas, nga nëntori 2021 deri në qershor 2024 regjistroi vetëm 15% të totalit humbje në kampionat (La Liga); Kike Setién (2019-2020) kishte 16% humbje dhe Ronald Kuman (2020-2022) kishte 21% humbje.
Flik ka përpara gjithë fazën e dytë të sezonit për t’i përmirësuar statistikat e tij në La Liga. Barcelona tani duhet të rigjejë formën e duhur për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe synuar qëndrueshmërinë në kampionat, ndërsa Flik kërkon të riafirmojë vendin e tij në stol me një kthesë të fortë në pjesën e mbetur të sezonit.