Stefano Pioli gati të zbarkojë tek Al Nassr, gëzohet edhe AC Milan
Hipoteza e transferimit të Piolit në Arabinë Saudite ishte shfaqur tashmë gjatë verës, kur Al-Ittihad kishte treguar interes për të, përpara se të zgjidhte Loren Blan. Tani, megjithatë, klubi i Riadit shfaqet gati për ta finalizuar marrëveshjen me trajnerin emilian, i cili do ta gjente veten si trajner i Kristiano Ronaldos, por jo vetëm kaq. Atje e pret edhe Marselo Brozoviç, me të cilin është ndeshur shumë herë në derbin e Madoninës.
E ardhmja e Luis Kastros në stolin e Al Nassr tani duket e vulosur. Trajneri portugez, pas golit të barazimit në shtëpi, në minutën e 99-të kundër Al-Ahli, është në prag të shkarkimit. Humbja 4-1 në Superkupën Arabe kundër Al-Hilal, një muaj më parë, sinjalizoi shenjat e para të një përçarjeje mes klubit dhe trajnerit.
Prandaj, klubi saudit ka intensifikuar dialogun me Stefano Piolin dhe po përpiqet të mbyllë sa më shpejt këtë negociatë. Siç raporton Fabrizio Romano përmes rrjeteve të tij sociale, negociatat mes Al Nassr dhe Stefano Pioli janë ende në vazhdim dhe nuk kanë përfunduar.
Zbarkimi i mundshëm i Piolit tek Al-Nassr do të sillte gjithashtu një përfitim ekonomik për Milanin. Trajneri, në fakt, është ende nën kontratë me kuqezinjtë deri më 30 qershor 2025, por marrëveshja e re do ta lironte klubin nga pagesa e pjesës së mbetur të kontratës.