Stefano Pioli: Milani mund t’i shkojë deri në fund këtij turneu
Milani do të luajë në Ligën Europa ndaj Slavia Pragës, një ndeshje vendimtare për sezonin e “kuqezinjve”. Trajneri Stefano Pioli, pak orë para fillimit të kësaj sfide, beson se Milani mund t’ia dalë mbanë t’i shkojë deri në fund këtij turneu.
“Ne duhet të mendojmë se mund ta fitojmë këtë kupë. Fillimisht duhet të luajmë mirë për të kaluar në raundin tjetër. Ndoshta është gabim të shikojmë shumë përpara, por duam të ëndërrojmë”, tha Stefano Pioli.
“Ne po përballemi me një kundërshtar që ka humbur vetëm në Romë në fazën e grupeve. Natyrisht, brenda nesh kemi entuziazmin të mendojmë se mund të arrijmë deri në fund”, tha më tej trajneri i kuqezinjve.
“Në Europë kemi bërë disa hapa të mëdhenj, por këtë gjë duhet ta tregojmë edhe një herë sot në fushën e lojës. Slavia është një ekip shumë intensiv, i cili vrapon shumë. Ata luajnë me tre lojtarë sulmues që janë shumë afër, fizikë dhe të shpejtë. Kanë cilësi të mirë në përgjithësi dhe një trajner që e ka mbajtur nivelin e lartë për shumë vite, edhe kur ai bën shumë ndryshime. Mbrojtja jonë tani po paraqitet mjaft mirë dhe duhet ta shfrytëzoj të gjithë potencialin e saj. Ne jemi Milan, kemi një histori të rëndësishme në Europë dhe duam të shkojmë deri në fund”, tha Pioli.