Strugë – Kallëzim penal për shmangie tatimore, dëmi mbi 4.5 milionë denarë
Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë kallëzim penal ndaj një personi fizik, i cili është pronar dhe administrator i një subjekti juridik, si dhe ndaj vetë subjektit juridik pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimore”.
Policia Financiare
“Personi me inicialet B.Z., në cilësinë e pronarit dhe administratorit të subjektit juridik, me vetëdije dhe me qëllim për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për kompaninë, nuk ka paraqitur si të ardhura disa detyrime të vjetërsuara dhe të papaguara në vlerë totale prej 30.946.170 denarësh”.
Policia financiare informoi se pavarësisht faktit se ishte i detyruar që në bilancin tatimor për vitin 2025 të paraqiste detyrimin tatimor, i kallëzuari nuk e ka paguar tatimin mbi fitimin me normën tatimore prej 10%, në shumën prej 3.094.617 denarësh.
Gjithashtu, gjatë kontrollit janë evidentuar hua të dhëna personave fizikë në shumën prej 14.254.665 denarësh. Këto hua nuk ishin kthyer deri në fund të vitit dhe, sipas Policisë Financiare, duhej të evidentoheshin në bilancin tatimor si shpenzime të papranuara për qëllime tatimore. Edhe për këtë shumë nuk është deklaruar dhe paguar tatimi mbi fitimin prej 10%, që kap vlerën 1.425.467 denarë.
Drejtoria e policisë financiare sqaroi se detyrimi tatimor i papaguar përbëhet nga 3.094.617 denarë për detyrimet e vjetërsuara dhe 1.425.467 denarë për huatë e pakthyera, duke arritur në totalin prej 4.520.084 denarësh. /SHENJA/
