Studentët e UNT-së apel urgjent drejt udhëheqjes së re të Qytetit të Shkupit për mungesën transportit publik për studentët
Kuvendi Studentor Universitar i Universitetit të Tetovës – UNT ka reaguar publikisht duke shprehur zhgënjimin e thellë për mungesën e angazhimit nga ana e udhëheqjes së Qytetit të Shkupit lidhur me problemin e vazhdueshëm të transportit publik për studentët.
Sipas njoftimit zyrtar, që nga data 26 nëntor 2024, studentët kanë ngritur disa herë çështjen e mungesës së linjave të përshtatshme që do të siguronin lidhje të drejtpërdrejtë dhe funksionale ndërmjet Kampusit Universitar dhe pjesëve kyçe të kryeqytetit. Megjithatë, pavarësisht kërkesave të përsëritura, as Qyteti i Shkupit dhe as Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemit.
“Kërkesa jonë është e qartë dhe urgjente. Nevojiten linja të reja të transportit publik që të mundësojnë lëvizjen e pandërprerë të studentëve. Deri tani, nuk kemi parë asnjë reagim apo veprim nga autoritetet kompetente,” thuhet në reagimin e studentëve.
Kryetari i KSU-së, Omer Hebib, apelon drejtpërdrejt tek udhëheqja e re e Qytetit të Shkupit që ta marrë seriozisht këtë çështje dhe të ndërhyjë sa më shpejt për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme. Ai thekson se studentët çdo ditë përballen me vështirësi të mëdha për të arritur në kampus, duke e bërë këtë problem jo vetëm të rëndësishëm, por edhe urgjent.
“Kërkojmë që kërkesa jonë të merret në konsideratë dhe të realizohet. Studentët nuk mund të presin më,” deklaroi Hebib.
Kuvendi Studentor Universitar njofton se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e studentëve deri në realizimin e kësaj kërkese thelbësore për komunitetin akademik.