Studentët thirrje profesorëve: Bashkohuni në protestën e 6 prillit për të drejtat në arsim
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë dalë me një thirrje publike drejtuar profesorëve universitarë, duke kërkuar mbështetje për protestën në Shkup e paralajmëruar më 6 prill, në ora 12:30.
MARKETING

Përmes një letre zyrtare, studentët theksojnë se bëhet fjalë për një çështje thelbësore që lidhet me respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ata kërkojnë solidaritet dhe përkrahje nga stafi akademik, duke vlerësuar rolin e profesorëve si faktor kyç në mbrojtjen e standardeve dhe të drejtave në arsim. Sipas tyre, kjo nuk është vetëm një kërkesë studentore, por një çështje që prek drejtpërdrejt dinjitetin dhe barazinë në sistemin universitar.
Në thirrje, studentët nënvizojnë se mbështetja e profesorëve do të ishte një mesazh i fuqishëm për institucionet dhe opinionin publik, duke kontribuar në një protestë paqësore dhe dinjitoze.
Protesta do të zhvillohet në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit, ndërsa organizatorët kanë bërë apel për pjesëmarrje sa më të gjerë.
