
Sulmohet ndërtesa e ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv, stafi diplomatik i Maqedonisë së Veriut për momentin në vend të sigurtë
Sulmet hakmarrëse të Iranit tronditën ndërtesat në Izrael, sipas ish-ambasadorit izraelit Michael Oren, i cili tha se ai dhe familja e tij tani janë në një “dhomë të sigurt”.
“Ndërtesa u drodh mjaft, pak minuta më parë”, tha ish-ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara për CNN.
Irani qëlloi “qindra raketa të ndryshme balistike” drejt Izraelit në atë që Teherani e quajti fillimin e “përgjigjes shkatërruese” të tij ndaj sulmeve izraelite të premten në mëngjes, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit.
Oren tha se mori paralajmërime në celularin e tij para sulmeve për të “na thënë saktësisht, e dini, çfarë të presim dhe ku të shkojmë kur të mbërrijë ai i prituri”.
“Dhe ai i prituri mbërriti”, shtoi ai.
Ai theksoi efektivitetin e Kupolës së Hekurt të Izraelit në kapjen e disa prej raketave iraniane.
“Nëse Irani qëlloi 100 raketa drejt nesh dhe pesë deri në shtatë goditën, kjo është normale”, tha Oren.
Sipas informacioneve të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal, stafi diplomatik i Maqedonisë së Veriut në Izrael për momentin është të vend të sigurtë dhe po ndjekin situatën në bazë të rekomandimeve nga autoritetet izraelite.
Shtatë persona u plagosën “lehtë dhe mesatarisht” në sulmin iranian që goditi kufirin midis Tel Avivit dhe qytetit Ramat Gan në Izrael, tha Eli Bin, kreu i Magen David Adom, shërbimeve të emergjencës së Izraelit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha se Irani kishte kryer sulme ndaj “dhjetëra objektivave, qendrave ushtarake dhe bazave ajrore” që i përkisnin Izraelit.
Operacioni quhet “Premtimi i vërtetë 3” dhe detaje të mëtejshme do të njoftohen.
Sipas televizionit shtetëror iranian, raketat izraelite u kapën mbi qytetin Tabriz në Iranin veriperëndimor sonte.