Takimi midis Kryetarit Gashi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s: Konfirmimi i aleancës së fortë
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, u takua me Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, në të cilin morën pjesë: koordinatorët dhe zëvendëskoordinatorët Nikolla Micevski, Jovanka Trençevska, Bekim Qoku, Rina Ajdari dhe Boban Karapejovski; shefi i Delegacionit Parlamentar në AP të NATO-s, Dragan Kovaçki dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Kryetari Gashi, duke e uruar mirëseardhjen në Dhomën Ligjvënëse, e njoftoi mysafirin me situatën aktuale në vend, në dritën e tensioneve gjeopolitike aktuale në Lindjen e Afërt dhe luftës në Ukrainë. E theksoi politikën e përkushtuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut si një aleat i besueshëm që, si më parë, do të kontribuojë në mënyrë efektive në sigurimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale. Në kohën e pasigurisë globale në rritje, Kryetari Gashi e theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta, dialogun e qëndrueshëm politik dhe përkushtimin e përbashkët ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë kolektive. Më pas, ai theksoi se anëtarësimi i vendit në BE nuk është vetëm çështje institucionale e anëtarësimit. Theksoi se në dritën e paqëndrueshmërisë aktuale, çështja e integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më shumë çështje që lidhet me sigurinë evropiane.
Sekretari i Përgjithshëm Rute falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe e përshëndeti përkushtimin e vendit për të rritur pjesën e tij në sigurinë kombëtare dhe kolektive, gjë që tregon aftësinë e saj për t’i pranuar detyrimet e anëtarësimit në NATO. Ai përshëndeti përpjekjet që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka bërë në ofrimin e ndihmës adekuate për Ukrainën, duke demonstruar kështu një shkallë të lartë solidariteti me aleatët e tjerë. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit ndanë vlerësime të përbashkëta për ruajtjen e qëndrimeve konsistente dhe harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (PPJS) të BE-së, iniciativat e përbashkëta të mbrojtjes të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fortë për Ukrainën.
Rute e përshëndeti përkushtimin e vendit tonë si vend anëtar i NATO-s në një rajon të brishtë ku jo të gjitha vendet janë anëtare të NATO-s ose kanë shkallë të ndryshme të partneritetit me Aleancën, në promovimin e atmosferës dhe politikës së stabilitetit rajonal dhe shkallë të lartë të pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse të NATO-s. E theksoi rëndësinë e zërit të parlamenteve dhe parlamentarëve si instrument demokratik i pazëvendësueshëm për mbështetjen e prioriteteve shtetërore, veçanërisht në fushën e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të armatës dhe forcimit të sigurisë, në përputhje me vizionet e projektuara të Aleancës.
Në seancë të posaçme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute mbajti fjalim para deputetëve të Kuvendit.