
Taravari dhe Osmani dënojnë sulmin ndaj gazetarit Selmani: Jetojmë në diktaturë!
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë që tregon gjendjen e lirisë së medias në vend.
“Dënoj ashpër sulmin ndaj gazetarit Naser Selmani, sulm i cili i shtohet dhunës që është rritur ndjeshëm ndaj medias së lirë. Kjo dhunë jep dy mesazhe të qarta: jetojmë në diktaturë, fatkeqësisht; dhe diktatura i ka ditët e numëruara”, ka shkruar Taravari.
Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve të pushtetit për të sulmuar kritikët, në fund fiton e vërteta dhe ata që i shërbejnë publikut:
“Edhe pse pushteti merret me Naserin, prapë fiton Naseri”, përfundoi lideri i Aleancës për Shqiptarët.
Po ashtu, Bujar Osmani, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim, reagoi duke theksuar se sulmi ndaj makinës së gazetarit është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së fjalës:
“Kërcënimi ndaj një gazetari nuk është vetëm sulm personal, por goditje ndaj vetë lirisë së fjalës. Çdo kërcënim ndaj gazetarëve është kërcënim ndaj shoqërisë demokratike”, deklaroi Osmani.
Ai shprehu solidaritet të plotë me të gjithë gazetarët që guxojnë të thonë të vërtetën dhe mbrojnë interesin publik, pavarësisht presioneve.