
Taravari: Një ditë historike për shqiptarët – Konsullata e Shqipërisë hap dyert në Strugë
Struga ka shënuar sot një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me hapjen zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përshëndetur këtë hap duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për afrimin institucional dhe kombëtar me shtetin shqiptar.
“Sot, Struga nuk është vetëm qytet i liqenit dhe poezisë, është bërë edhe qytet i diplomacisë shqiptare,” ka deklaruar Taravari në një status në rrjetet sociale.
Sipas tij, ky zhvillim është një shenjë e qartë e vullnetit politik për të forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes shqiptarëve në dy anët e kufirit, si dhe një ndihmesë konkrete për mijëra qytetarë që tashmë do të mund të përfitojnë nga shërbimet konsullore pa pasur nevojë të udhëtojnë në distanca të largëta.
“Urime!”, përfundon Taravari në mesazhin e tij.