Tasevski: Nëse nuk zbardhet sulmi në M-NAV, hapësira ajrore mund të mbyllet!
Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror në M-NAV, Aleksandar Tasevski theksoi sonte në një intervistë për TV Sitel se nuk përjashtohet mundësia e grevës së kontrollorëve nëse nuk do të zbardhet sulmi ndaj tre punonjësve në objektet e Navigacion Maqedonas nga kolegu i tyre dhe disa persona të tjerë të panjohur.
Tasevski tha se vendimi për grevë të mundshme do të merret në mbledhjen e sotme të Sindikatës.
“E gjithë kjo ngjarje ka shkaktuar zemërim dhe revoltë të mëtejshme te kontrollorët e trafikut ajror, kështu që sonte do të mbahet një takim në të cilin nuk përjashtohet mundësia që të kalohet në opsionin e mbylljes së plotë të hapësirës ajrore, derisa autorët e kësaj ngjarje të jenë gjetur dhe të dënohen. Para së gjithash duhet të mbrojmë çdo kontrollor të trafikut ajror si koleg, çdo punonjës tjetër të kësaj kompanie, por edhe udhëtarët”, tha Tasevski.
Lidhur me ndërhyrjen e sotme në ambientet e M-NAV-së, ai tha se nuk e di numrin e saktë të personave që kanë hyrë në objekt, por se nga sigurimi i objektit janë lëshuar të hyjnë dy deri katër automjete, nga të cilët nuk dihet se sa persona kanë dal jashtë.
“Personat kanë hyrë në vetë dhomat e kontrollit të trafikut ajror ku ne si kontrollorë punojmë dhe lëvizim. Ata e dinin saktësisht se ku po shkonin. Ata kërkonin njerëz të veçantë. Ka qenë e dhunshme, me tërheqje për të eskaluar përfundimisht dhe pasuar me sulm fizik”, thotë Tasevski.
Sindikalisti i parë shton se në incidentin e sotëm janë sulmuar kontrollorët e trafikut ajror, të cilët janë shqiptarë etnikë, sepse, siç thotë ai, kanë qëndruar në përkushtimin për profesionalizëm në kontrollin e trafikut ajror.(INA)