
Tearca përgatitet për garë zgjedhore: Nazim Taipi dhe Daut Memishi zyrtarisht në garë
Komuna e Tearcës do të jetë një tjetër arenë zgjedhore ku dy blloqet kryesore politike shqiptare do të përballen me kandidatë të profilit të lartë dhe me përvojë: Nazim Taipi, kandidat i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit dhe i mbështetur nga BDI dhe Aleanca Kombëtare për Integrim, si dhe Daut Memishi, kandidat i Lëvizjes Besa dhe i mbështetur nga koalicioni VLEN, shkruan Flaka
Nazim Taipi rikthehet në garë me përkrahje më të gjerë
Nazim Taipi rikandidon për herë të dytë për drejtimin e Komunës së Tearcës, pas pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Atëherë, ai garoi si kandidat i Aleancës për Shqiptarët, duke ruajtur një profil aktiv politik edhe pas përfundimit të zgjedhjeve, shkruan Flaka. Në vitin 2021, ai u rikthye nga Zvicra për të kontribuar në vendlindje, gjë që u vlerësua si hap i guximshëm për angazhim publik dhe zhvillim lokal.
Pas zgjedhjeve, Taipi u emërua zëvendësdrejtor në ndërmarrjen publike “Rrugët Shtetërore të RMV-së”, post të cilin e mbajti deri në largimin e ASH-së nga qeveria dhe përfundimin e bashkëpunimit me VLEN-in.
Rikandidimi i tij në vitin 2025, këtë herë me përkrahje nga një koalicion më i gjerë që përfshin edhe BDI-në, shihet si përpjekje për konsolidimin e spektrit politik shqiptar në këtë komunë dhe si një ofertë për qeverisje të qëndrueshme, profesionale dhe përfshirëse.
Daut Memishi – kandidati i VLEN-it me profil ekonomik
Në anën tjetër, Daut Memishi, kandidat i Lëvizjes Besa dhe i mbështetur nga VLEN, hyn në garë me një profil profesional si ekonomist dhe me përvojë në fushën e biznesit dhe menaxhimit ekonomik, shkruan Flaka. Ai ka qenë për disa vite udhëheqës i degës së Lëvizjes Besa në Komunën e Tearcës, ku ka ndërtuar një bazë të qëndrueshme politike dhe organizative.
VLEN e sheh kandidaturën e Memishit si vazhdimësi të angazhimit për ndryshim dhe modernizim të qeverisjes lokale, ndërsa vetë kandidati ka theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik lokal dhe mbështetjes së iniciativave të reja për të rinjtë dhe bizneset.
Daut Memishi nga VLEN është aktualisht Drejtor në Byron për Zhvillim Rajonal. Memishi ka qenë edhe zv/drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetovë.
Zhvillimet politike në Tearcë pritet të jenë kyçe për balancat në rajonin e Tetovës, ndërsa gara ndërmjet Taipit dhe Memishit shihet si përballje mes përvojës institucionale dhe një fryme të re ekonomike. Flaka