
Telashet e para për Luis Hamiltonin, aksidentohet në testet në Barcelonë
Në ditën e tij të tretë në timonin e një Ferrari, Luis Hamilton pati aksidentin e tij të parë. Gjatë kohës së pilotimit të tij në ditën e dytë të testeve në Barcelonë, 7 herë kampioni i botës në Formula 1 humbi kontrollin e makinës SF-23 në pistën e Montmelò.
Një aksident pa pasoja për Luis Hamiltonin, por mësohet se ka patur dëme të konsiderueshme në njëvendëshen e britanikut për sa i përket pjesës aerodinamike. Shkaqet e mundshme të aksidentit nuk janë bërë të ditura, por dyshohet për një gabim gjatë frenimit.
Pas debutimit një javë më parë në Fiorano, këtë herë në Barcelonë, Luis Hamilton është angazhuar në një test më të thelluar që përfshin edhe mundësinë e kërkimit të performancës.
Ngjarja e paparashikuar komprometoi në mënyrë të pashmangshme dhe anuloi planin e punës për seancën e pasdites, i rezervuar për Sharll Leklerkun. Inxhinierët po sistemojnë makinën për testet e radhës.