Ten Hag: Man. Junajtedi nuk është gati, por Premier Liga po fillon
Trajneri i Man. Junajtedit, Erik ten Hag ka thënë se ekipi i tij nuk është gati për nisjen e sezonit 2024/25 në Premier Ligën. Skuadra nga “Old Trafordi”, do të nis sezonin e ri me ndeshjen hapëse të Premier Ligës kundër Fulhamit dhe para kësaj ndeshje ka folur trajneri Ten Hag në konferencë për shtyp.
“Ekipi nuk është gati, por Premer Liga po fillon. Ka më shumë menaxherë që duhet të merren me këtë problem, ne patjetër e kemi këtë problem. Por ne kemi disa rregulla, disa parime, por duhet të bëjmë një fillim, nuk mund të fshihemi, nuk mund të ikim prej tij, duhet të merremi me të,” ka thënë fillimisht Ten Hag në konferencën e tij.
Duke theksuar rëndësinë e ligës dhe presionin e vazhdueshëm për të arritur rezultate, trajneri holandez potencoi edhe sfidat me lëndimet e futbollistëve.
“Nuk është para-sezon ku në pesë deri në gjashtë javë punon në një ekip, është shumë e komplikuar. Skuadra e turneut në SHBA dhe më pas shtuam lojtarët që luajtën në Euro 2024 dhe Kopa America dhe tani nënshkrimet e reja dhe ne duhet të krijojmë një ekip prej tij…Megjithatë, ne kemi pak hapësirë, kemi disa parime dhe duhet të bëjmë një fillim”, përfundoi trajneri I Junajtedit.
Ndryshe, “Djajtë e Kuq” kanë shtuar katër lojtarë të rinj në skuadër, por do të mungojnë shërbimet e Luk Shout dhe Rasmus Hojlund, të cilët janë të lënduar. Ten Hag ka shumë për të luftuar në sezonin e ardhshëm, duke përfshirë vendosjen nëse e ardhmja e tij qëndron në “Old Trafford” apo jo.