Tentoi ta korruptonte policin në kufi me 10 euro, aktakuzë ndaj të riut që kërkohej nga Shqipëria
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë shtetasit të Shqipërisë M.M., i cili gjendet në paraburgim nga data 25 janari, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i njëjti ka tentuar ta korruptojë zyrtarin policor me 10 euro në tavolinë, ndërkohë që ishte në kërkim nga autoritetet e Shqipërisë.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.M., me datë 25.01.2024, në ora 12:00 në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete i ofron ose i jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ky i fundit të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke e ditur se është në stop-listën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, afrohet tek kabina e zyrtarit policor të Kosovës, me ç’rast derisa ky i fundit ishte duke bërë kontrollimin e dokumenteve, i pandehuri ia vendos në tavolinën e tij të punës shumën e parave prej dhjetë euro (10 €). I njëjti, menjëherë është ndaluar nga ana policisë kufitare të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.