Teo Hernandez në ngërç, marrëveshje deri në qershor ose lamtumirë
E përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport” analizon sot situatën e rinovimit të kontratës së Theo Hernandez, mbrojtësit të Milanit, i cili është i lidhur me klubin kuqezi deri më 30 qershor 2026. Në këto ditë, në Milanello po diskutohet shumë për performancën e francezit, e cila është dukshëm nën pritshmëritë.
Gjithashtu në qendër të vëmendjes është edhe negociata për rinovimin e kontratës, proces i cili po has vështirësi për të ecur përpara. Kërkesa e Theo-s për të nënshkruar një marrëveshje të re është 8 milionë euro neto në sezon, pothuajse dyfishi i pagës aktuale.
Ashtu si me Rafael Leao, një marrëveshje mund të arrihet në shumën prej 7 milionësh, përfshirë bonuset, por gjatë muajve të fundit nuk është bërë asnjë hap përpara në këtë drejtim. Për këtë arsye, një largim në verë nuk përjashtohet.
Po me çfarë çmimi? Deri në verën e kaluar, Milani kërkonte 100 milionë euro nga të interesuarit për lojtarin. Sot, megjithatë, do të ishte e vështirë të përfitonte gjysmën e kësaj shume, edhe sepse në verën e ardhshme, sipas marrëveshjes aktuale, Theo do të kishte vetëm një vit të mbetur në kontratë.
Në këtë pikë nuk përjashtohet një rinovim me klauzolë të arritshme për klubet e interesuara. Rrjedhimisht, një skenar i mundshëm do të ishte rinovimi i kontratës dhe më pas shitja, për t’i dhënë klubit kuqezi mundësinë të përfitojë më shumë financiarisht nga transferimi i tij.