
Terziç paralajmëron: Është koha që të ndalet seria e Real Madridit
Trajneri i Borusia Dortmundit, Edin Terziç ka paralajmëruar tifozët e futbollit se janë gati për t’i dhënë fund dominimit të Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve. Real Madrid dhe Borusia Dortmund do të ndeshen nesër (e shtunë) në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet në “Uembli” në orën 21:00.
Të gjithë njohësit e futbollit, por edhe shtëpitë e basteve i shohin “Los Blankos” si favorit, por kështu nuk mendon edhe trajneri i klubit gjerman. Terziç ka paralajmëruar të gjithë se është koha t’i japin fund serisë së Real Madridit dhe t’i mposhtin në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Bosi absolut i finales [Real Madrid] është duke pritur. Ne jemi duke zbërthyer gjithçka për këtë ndeshje. Në një lojë, çdo gjë është e mundur. Nëse dikush e ka treguar këtë, jemi ne. Është koha që kjo seri e Real Madridit, tetë ndeshje, tetë fitore në finale, të përfundojë”, përfundoi trajneri i Real Madridit.
Real Madridi nuk ka humbur një finale të Ligës së Kampionëve që nga viti 1980/81, kur u përball me Liverpullin. Ata kanë qenë fitues në të pesë finalet e tyre brenda 10 viteve të fundit.