Tetë raste me ethet e nilit perëndimor, shtatë pacientë me komplikime neurologjike
Numri i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut ka arritur në tetë, prej të cilëve shtatë raste janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa një rast konsiderohet i mundshëm, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik.
Vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar pesë raste të reja, ndërsa rasti i fundit është konfirmuar këtë javë. Shumica e të prekurve janë nga Shkupi dhe Velesi. Sipas të dhënave epidemiologjike, pjesa më e madhe e pacientëve janë infektuar brenda vendit, ndërsa për një prej tyre dyshohet se virusin e ka marrë gjatë një qëndrimi në Greqi.
Autoritetet shëndetësore e konsiderojnë shqetësues faktin se të gjithë pacientët kanë zhvilluar formë të rëndë të sëmundjes, e cila ka prekur sistemin nervor qendror. Për këtë arsye ata janë trajtuar në spital, ndërsa disa prej tyre tashmë janë liruar dhe po vazhdojnë mjekimin në shtëpi.
Sipas të dhënave, shumica e të prekurve janë burra dhe persona mbi moshën 60-vjeçare. Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni kalon pa simptoma ose shfaq vetëm shenja të lehta. Megjithatë, te një numër i vogël pacientësh mund të shkaktojë komplikime serioze neurologjike.
Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron se mushkonja tigër (Aedes albopictus) tashmë është e pranishme në vend dhe po përhapet gradualisht, si pasojë e temperaturave të larta dhe ndryshimeve klimatike.
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse pas pickimit nga një mushkonjë shfaqin temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, ngurtësim të qafës, çrregullime të vetëdijes ose simptoma të tjera neurologjike, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. /SHENJA/
