
Tetova në fokus: Bajram Rexhepi dhe Bilall Kasami në garë për komunën
Gara për Komunën e Tetovës pritet të jetë një ndër më të ashpërit në zgjedhjet lokale të ardhshme, me dy kandidatë të profilit të lartë politik e profesional: Bilall Kasami, aktualisht kryetar komune dhe kandidat i koalicionit VLEN për një mandat të dytë, dhe Bajram Rexhepi, i kandiduar nga BDI dhe Aleanca Kombëtare për Integrim, shkruan Flaka
Bajram Rexhepi, i lindur më 25 shkurt 1978 në fshatin Sellcë të Tetovës, është i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Karriera e tij përfshin përvoja të shumta në sektorin privat dhe atë publik. Nga viti 2007 deri në 2011 ka qenë menaxher në kompaninë, shkrun Flaka. “Neon Systems – Tetovë”, më pas, deri në vitin 2016, ka ushtruar funksionin e menaxherit rajonal të kompanisë franceze të inspektimit “APAVE” në Shqipëri dhe Kosovë. Në periudhën 2013–2017 ka qenë anëtar dhe koordinator i Këshillit Komunal të Tetovës, ndërsa nga viti 2018 deri në 2024 ka shërbyer si drejtor ekzekutiv në kompaninë publike “NOMAGAS” në Shkup. Në vitin 2020 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Bilall Kasami, gjithashtu me një përvojë të gjatë institucionale, ka ushtruar postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë në periudhën 2005–2006, për t’u rikthyer më pas në Drejtorinë e Doganave deri në vitin 2008. Nga viti 2009 deri më 2014 ka qenë profesor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik. Në vitin 2016 u zgjodh deputet në Kuvend si pjesë e koalicionit me Aleancën për Shqiptarët, por në vitin 2017 u tërhoq nga mandati për të garuar për kryetar komune. Pavarësisht humbjes, ai rikthehet në Kuvend në zgjedhjet e 2020-s, kësaj here si pjesë e koalicionit me LSDM. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Kasami u zgjodh kryetar i Komunës së Tetovës dhe tani kërkon një mandat të dytë. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Zgjedhjet në Tetovë pritet të jenë një test i fortë për dy blloqet politike shqiptare – Frontin Europian dhe VLEN – në një nga komunat më të mëdha dhe me peshë elektorale në vend. Flaka