
Tetova po përballet me zjarret, mbi 500 intervenime nga njësitë komunale (FOTO)
AA
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim me ekipin e vullnetarëve të zjarrfikësve, të cilët në bashkëpunim të ngushtë me Njësinë Territoriale Kundër Zjarrit, janë në vijimësi të angazhuar në menaxhimin e situatës me zjarret që kanë përfshirë shumë rajone të vendit.
Në një deklaratë të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, Kasami theksoi se zjarrfikësit tetovarë kanë ndërhyrë në mbi 500 raste, duke parandaluar me sukses përhapjen e zjarreve dhe duke mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën e qytetarëve.
“Kur ka organizim, planifikim dhe mbështetje institucionale, edhe sfidat më të mëdha menaxhohen. Kjo që po ndodh në Tetovë nuk është rastësi, por rezultat i punës së përditshme për të ndërtuar një komunë funksionale, efikase dhe të përgjegjshme,” – shkroi kryetari Kasami.
Ai theksoi se angazhimi i zjarrfikësve, si profesionistëve ashtu edhe vullnetarëve, është dëshmi e qartë se siguria publike nuk është fjalë boshe, por prioritet konkret i udhëheqjes komunale.
“Tetova po tregon se menaxhimi i mirë nuk është fjalë, por vepër në terren,” përfundoi Kasami, duke falënderuar të gjithë ata që po kontribuojnë çdo ditë në mbrojtje të komunitetit.
Ky reagim vjen në një kohë kur pjesë të mëdha të vendit po përballen me vatra të shumta zjarri, ndërsa Tetova po shfaqet si një ndër komunat më të organizuara në reagimin ndaj emergjencave natyrore. (INA)