The Best / Si votuan kapitenët dhe përzgjedhësit e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë
Lionel Mesi dhe Erling Haaland përfunduan me të njëjtin numër pikësh në votimin e FIFA-s për Lojtarin e Vitit. Të dy fituan nga 48 pikë secili, para Mbapes që mori 35, por njohja i shkoi Mesit për një faktor të rëndësishëm. Në votimin e përzgjedhësve dhe kapitenëve të kombëtareve, gazetarëve dhe tifozëve, Mesi mori 107 nominime si vendi i parë dhe Haaland vetëm 64. Ishte një moment vendimtar për çmimin e tretë “The Best” në karrierën e asit argjentinas.
Sa i përket përfaqësuesve, përzgjedhësi Blagoja Milevski dhe kapiteni Enis Bardhi i dhanë numrin maksimal të pikëve Erling Haaland. Milevski zgjodhi futbollistët e Man. Sitit, Julian Alvarez dhe Rodri në vendin e dytë dhe të tretë, dhe Bardhi u dha pikë Kilian Mbape dhe Lionel Mesi.
Sa u përket votave nga Shqipëria, kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, i ka dhënë pikërisht argjentinasit vendin e parë në votim, duke zgjedhur “vikingun”, Erling Haaland të dytin dhe “shkatërruesin” spanjoll, Rodri të tretin. Në krahun tjetër, tekniku Silvinjo zgjodhi norvegjezin të parin, argjentinasin të dytin dhe belgun, Kevin De Bruyne të tretin në renditjen e tij për këtë çmim.
Nga Kosova për lojtarin më të mirë të vitit si dhe për kategoritë e tjera, të drejtë vote kishin Primozh Gliha (ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses) dhe kapiteni Amir Rrahmani. Gliha pati një përzgjedhje interesante të emrave tek pothuajse të gjitha kategoritë. Votat e Glihas për lojtarin e vitit: Marselo Brozoviç, Kevin De Brujne dhe Ilkaj Gundogan. Votat e Rrahmanit për lojtarin më të mire janë: Viktor Osimhen, Kvicha Kvaratskhelia dhe Lionel Mesi.