“The last dance” nuk realizohet, Ronaldo ende nuk është rikuperuar
Skuadra arabe e Al Nassr do të luajë sot një provë shumë të rëndësishme ndaj Inter Majamit, një miqësore që zhvillohet në kuadër të Kupës së sezonit të Riadit. Një ndeshje e quajtur “the last dance” sepse Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo ishin gati për t’i dhënë betejë njëri-tjetrit ndoshta e fundit e karrierës së tyre.
Gjithsesi, ndeshja e shumëpritur, një ribërje e betejave të shumta mes dy lojtarëve që kanë shënuar 20 vitet e fundit, fatkeqësisht nuk do të zhvillohet. Arsyeja është e njëjta që e shtyu klubin saudit të shtyjë miqësoret kundër Shangait Shenua dhe Zhejiang – kampioni portugez po lufton ende me një dëmtim të pulpës së majtë që e mundon prej disa javësh.
Një problem fizik që sipas trajnerit të Al Nassr, Luis Kastro, është pothuajse i zgjidhur.
“Ronaldo është në pjesën e fundit të procesit të rikuperimit dhe më pas do t’i bashkohet grupit. Shpresojmë që në ditët në vijim të fillojë punën me skuadrën. Ai do të mungojë në miqësoren me Inter Majamin”.
Liga Saudite Pro është ndalur për Kupën e Azisë, ndërsa Inter Majami vjen në këtë ndeshje, e katërta e parasezonit, me dy humbje (0-1 ndaj Dallasit dhe 3-4 ndaj Al-Hilal) plus 0- 0 barazimi me El Salvadorin i marrë në daljen e parë të vitit 2024. Një skuadër në ndërtim e sipër, që kërkon të jetë protagonist në MLS.