
Thirrje raciste në ndeshjen Maqedoni–Rumani: Distancime e reagime po, por mungojnë veprime konkrete
Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në sallën e saporikonstruktuar sportive në Kumanovë, u dëgjuan thirrje të rënda me përmbajtje raciste dhe antishqiptare nga disa pjesëtarë të publikut. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, përfshirë edhe një reagim zyrtar nga Federata e Basketbollit të Maqedonisë.
Në një deklaratë zyrtare, Federata dënoi skandimet dhe veprimet e papërshtatshme të cilat, siç thuhet, nuk përfaqësojnë vlerat dhe identitetin e këtij institucioni sportiv.
“Parullat nacionaliste, gjuha e urrejtjes dhe nxitja e mosdurimit nuk kanë vend në sport. Apelojmë te të gjithë tifozët që të përmbahen nga sjellje të tilla dhe të kontribuojnë për një atmosferë pozitive, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse në stadiume dhe palestra”, thuhet në reagimin e Federatës.
Federata më tej shton se do të bashkëpunojë me autoritetet për të identifikuar përgjegjësit, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
“Na vjen keq që një ngjarje që u organizua në mënyrë shembullore, u njollos nga një grup i vogël individësh për qëllime jo-sportive. Sporti bashkon, nuk ndan”, përfundon deklarata.
Reaguan edhe tifozët “Kumani” nga Kumanova. Ky grupi i tifozëve të pranishëm në ndeshje përmes një deklarate të shkurtër sqarojnë se nuk mbajnë përgjegjësi për sjelljet e disa individëve me thirrjet nacionaliste antishqiptare.
“Si grup tifozësh nuk mbajmë përgjegjësi për veprimet e disa individëve. Skandimet nuk janë qëndrim i organizuar i grupit”, thanë nga ky grup tifozësh nga Kumanova.
Ndeshja Maqedoni – Rumani, e cila u vlerësua lartë për nga organizimi, u errësua nga incidentet e natyrës nacionaliste që kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
“Reagime ka plot, por veprime konkrete – zero”, është një nga komentet më të përhapura në rrjetet sociale pas incidentit, shkruan Flaka, media që e para shpalosi videon ekskluizve. Flaka
The post Thirrje raciste në ndeshjen Maqedoni–Rumani: Distancime e reagime po, por mungojnë veprime konkrete appeared first on Flaka, në çdo lajm… .