Thonjtë tuaj ndryshojnë me kalimin e moshës – ja si të kujdeseni për ta, sipas dermatologëve
Ashtu si lëkura, flokët, edhe thonjtë plaken bashkë me ne!
Lajmi i mirë është se ka shumë gjëra që mund të bëni për ta bërë këtë një proces të këndshëm dhe të pranueshëm.
Sipas ekspertëve, humbja e keratinës luan rol shumë të madh, së bashku me një sërë faktorësh të tjerë të brendshëm dhe të jashtëm si kequshqyerja, qarkullimi më i ngadaltë i gjakut dhe ekspozimi i tepërt ndaj ujit.
Pse thonjtë ndryshojnë me moshën?
“Thonjtë plaken ashtu si pjesa tjetër e trupit tonë,” shpjegon dermatologia Pooja Rambhia. “Ndryshimet e thonjve të lidhura me moshën janë kryesisht për shkak të qarkullimit të gjakut, dëmtimeve, infeksioneve dhe kushteve shëndetësore”.
Një tjetër fajtor? Humbja e keratinës. “Thonjtë tanë, si flokët, përbëhen kryesisht nga proteinat e keratinës dhe me kalimin e moshës, kjo natyrshëm bie,” thotë Rambhia, shkruan Today.
Shpejtësia e rritjes së thonjve gjithashtu ndryshon me kalimin e viteve, gjë që mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin e tyre. Pas moshës 40 vjeç, procesi i rritjes së thonjve ngadalësohet goxha, ndërsa ekspozimi ndaj faktorëve mjedisorë e përkeqëson edhe më shumë situatën.
Si të kujdeseni për thonjtë me kalimin e moshës?
Kujdesi për thonjtë nuk është i ndryshëm nga kujdesi për lëkurën dhe flokët. Nëse doni thonj të bukur edhe pse mosha nuk është në favorin tuaj, fokusohuni në një qasje brenda-jashtë, pra një mënyrë ushqyerje e mirë dhe një kujdes i përditshëm.
Një dietë të ekuilibruar që përmban proteina, vitaminave dhe minerale, duke përfshirë edhe hekurin, është ajo që ju duhet për të “investuar” në shëndetin e thonjve.
Të gjithë ekspertët bien dakord në idenë se hidratimi është njëherësh një hap i rëndësishëm kur bëhet fjalë për shëndetin e tyre, citon Anabel.
“Hidratimi i shpeshtë i thonjve dhe lëkurës përreth, së bashku me pirjen e mjaftueshme të ujit ndihmon në ruajtjen e niveleve t% hidratimit dhe parandalimin e krijimit të thonjve të brishtë,” përfundon dermatologia. /Telegrafi/