Thyhen rregullat, Inzagi telefonoi në pushim dhe “zgjoi” Interin në pjesën e dytë
Interi ka mundur 4-2 Romën dhe ka bërë një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion në Seria A. Por nuk ka qenë një ndeshje e thjeshtë për zikaltrit, të cilët e mbyllën pjesën e parë në disavantazh dhe për disa momente u duk se ishin në vështirësi përballë “verdhekuqve”.
“La Gazzetta Dello Sport” ka zbuluar se për të shkundur skuadrën ka menduar vet trajneri Simone Inzagi. Ky i fundit ishte i pezulluar dhe nuk mund të shkonte në dhomat e zhveshjeve të ekipit për të folur me lojtarët.
Sipas rregullave, nuk duhet të ketë kontakt mes tij dhe futbollistëve në këtë rast, pasi ekipi duhej drejtuar plotësisht nga ndihmësi i tij, Masimiliano Farris. Por te “zikaltrit” nuk kanë menduar shumë për rregullat në një moment vështirësie, ashtu si në fakt ndodh edhe në shumë ekipe të tjera në raste të ngjashme. “Sekretin” e ka zbuluar pas ndeshjes Alesandro Bastoni, duke folur para gazetarëve.
“Kemi folur, na telefonoi trajneri me altoparlant të hapur dhe në tha që duhej të ishim vetvetja, ata që ishim deri pak ditë më parë. Zbritëm në fushën e lojës dhe e treguam”, tha mbrojtësi.
Më pas Farris u mundua të rregullonte gjërat duke thënë se stafi ia kishte përçuar mesazhin lojtarëve, por për të gjithë ishte e qartë se ajo telefonatë e Inzagit kishte “zgjuar’ Interin që bëri përmbysjen e çmendur në pjesën e dytë.