
Tjetër vrasje në vend – Qëllohet për vdekje një person, arrestohet autori i dyshuar
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e një personi mbrëmjen e së dielës në Prizren. Ngjarja, e cila ndodhi rreth orës 20:30 në lagjen Tusuz të Prizrenit, i mori jetën viktimës pasi u godit me thikë në pjesën e gjoksit.Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi se i dyshuari, i identifikuar me iniciale E.B., u arrestua mbrëmjen e së dielës dhe i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh. Gjatë bastisjes në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi thikën që dyshohet se u përdor në krim, si dhe një veturë të markës “Audi”.
Detajet e krimit dhe hetimet në vazhdim
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, viktima, Hekuran Shala, i cili ishte goditur me mjet të mprehtë në gjoks, u dërgua fillimisht në spitalin rajonal të Prizrenit dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Motivet e këtij krimi ende nuk janë bërë të ditura. Ky rast vjen pas një vrasjeje të trefishtë që tronditi Gjilanin, duke shënuar një fundjavë të zezë për Kosovën.