Toshkovski në Forumin e shefave të Policive Kufitare: Siguria evropiane ndërtohet së bashku me Ballkanin Perëndimor
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot iu drejtua Forumit të shefave të Policive Kufitare të Ballkanit Perëndimor, i cili, në kuadër të Procesit të Berlinit, po mbahet më 26 dhe 27 gusht në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga rajoni, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), si dhe partnerë evropianë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se migracioni mbetet një nga çështjet kryesore të kohës moderne, me ç’rast Ballkani Perëndimor njëkohësisht përfaqëson një rajon tranzit dhe një partner të rëndësishëm në përgjigjen e përbashkët evropiane ndaj sfidave të migracionit dhe sigurisë.
“Presionet nga flukset e parregullta të migracionit, shfrytëzimi i kategorive të rrezikuara nga rrjetet kriminale dhe ngarkesa mbi institucionet nuk janë sfida të kufizuara në një kufi, në një shtet apo në një rajon. Ato janë evropiane dhe globale. Nëse vërtet dëshirojmë të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët evropiane të sigurisë dhe besimit, duhet t’i tejkalojmë deklaratat dhe të kalojmë drejt mekanizmave konkretë të bashkëpunimit”, theksoi Toshkovski.
Duke iu referuar rëndësisë së Procesit të Berlinit, ministri theksoi se ai nuk përfaqëson një rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një rrugë të besueshme përmes së cilës vendet e Ballkanit Perëndimor demonstrojnë gatishmërinë, përgjegjësinë dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane. Bashkëpunimi efikas në fushën e migracionit dhe sigurisë kufitare, siç theksoi ai, sjell përfitime konkrete si për rajonin, ashtu edhe për vendet anëtare të BE-së.
“Siguria evropiane nuk përfundon në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Ajo ndërtohet përmes partnerëve të qëndrueshëm dhe të sigurt, përmes politikave të përbashkëta dhe përmes aftësisë së të gjithëve ne për të kontribuar në përballimin e sfidave që prekin Evropën në tërësi. Procesi i Berlinit nuk është vetëm përgatitje e Ballkanit Perëndimor për Evropën – por një platformë që vetë Evropa të bëhet më e sigurt dhe më rezistuese”, theksoi Toshkovski.
Ministri shprehu kënaqësinë që Maqedonia është nikoqire e Forumit dhe falënderoi Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Misionin e IOM-it për mbështetjen në organizimin e tij dhe për përkushtimin ndaj procesit të integrimit evropian të rajonit.
Në fund, Toshkovski theksoi se Forumi duhet të shfrytëzohet jo vetëm për shkëmbimin e përvojave, por edhe për përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit, me vizionin për një Evropë në të cilën Ballkani Perëndimor është pjesë aktive dhe e përgjegjshme e sigurisë, stabilitetit dhe së ardhmes së saj.
