Trajneri i Qipros: Kosova nuk është Lituani, ka ekip të mirë
Kosova e nisi me humbje kampanjën kualifikuese pasi u mposht 0-3 në shtëpi nga Rumania, derisa Qipro triumfoi në udhëtim te Lituania me rezultat minimal 1-0. Trajneri i Qipros, Temur Ketsbaia ka thënë para ndeshjes se synojnë që të vazhdojnë me fitore.
“Sigurisht që duam pikët e plota pas fitores në udhëtim ndaj Lituanisë. E dimë që do të përballemi me një ekip me talente, me lojtarë nga liga shumë të mëdha. Pas ndeshjes së parë besoj se skuadra do të japë diçka më shumë për të fituar. Ajo që ka rëndësi është se kemi pasur një fillim të mbarë. Mungojnë disa lojtarë, por ne treguam edhe në ndeshjen e parë se kemi gjasat tona”, ka thënë Ketsbaia.
Tekniku qipriot thotë se Kosova nuk është Lituani dhe se kanë ekip të mirë, megjithatë ata do të presin rastin për fitore.
“Kosova sigurisht nuk është Lituani. Ne duam ta luajmë lojën tonë. Le të presim rastin tonë për të shënuar. Pavarësisht se e humbi ndeshjen e parë në shtëpi, Kosova ka ekip të mirë. Por ne treguam edhe disa gjëra. Fatkeqësisht deri tash nuk i kemi pasur shikuesit afër. Tani shpresojmë t’i kemi me vete dhe të arrijmë qëllimin tonë. Se sa e arritshme është fitorja, do ta shohim. Ne do ta japim maksimumin”, ka deklaruar trajneri i Qipros.