Transportuesit në RMV ndërpresin protestën, KE miraton strategji të re për vizat
Shoqata e transportuesve “MaKam-Trans” në Maqedoninë e Veriut njoftoi sot se protesta e organizuar nga transportuesit profesionistë në pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut do të ndërpritet sot nga ora 20:00, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të shoqatës, vendimi vjen pas miratimit të një strategjie të re nga Komisioni Evropian për vizat, që pritet të zgjidhë problemet me të cilat u përballën shoferët profesionistë lidhur me qëndrimet 90-ditëshe brenda 180 ditëve.
“Falënderojmë secilin që shfaqi solidaritet dhe mbështetje gjatë këtyre ditëve në mënyrë të palodhur”, tha shoqata.
“Uniteti dhe këmbëngulja juaj kanë dhënë rezultate. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, Komisioni Evropian ka vendosur të miratojë një Strategji të re për Vizat që do të zgjidhë problemin me të cilin përballen shoferët profesionistë, për qëndrime prej 90 ditësh në 180 ditë”, thuhet më tej në njoftim.
Ndryshe, duke filluar këtë të hënë, transportuesit profesionistë të mallrave në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë organizuan një protestë dhe bllokadë të koordinuar në pikat kufitare për shkak të rregullave të reja të planifikuara të qëndrimit në zonën Shengen.
Sot gjatë ditës, ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, njoftoi se Brukseli do të miratojë një strategji të re për vizat, e cila do të sigurojë zgjidhje për shoferët profesionistë nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.