Tre emrat kryesorë për të pasuar Jyrgen Klopin te Liverpullin
Jurgen Klop njoftoi para disa ditësh në mënyrë befasuese se në fund të këtij sezoni do ta mbyllë aventurën me Liverpullin, klub me të cilin bashkëpunon prej vitit 2015. Drejtuesve të “The Reds”, iu lind tashmë detyra për të gjetur pasuesin e gjermanit dhe në listë janë disa emra mbi të tjerët dhe që mendohen si personat e duhur për të trashëguar skuadrën e Klopit, që duhet theksuar ka vendosur një standart të lartë në Anfield.
I pari është Çabi Alonso i Bayer Leverkuzenit. Spanjolli, një ish-lojtar i Liverpullit, po bën një punë të shkëlqyer në Bundesligë me “aspirinat”. 42-vjeçari ka pëlqimin edhe të Real Madrid, por madrilenët rinovuan me Ançelotin dhe ndër të tjera, nostalgjia për Liverpullin, mund ta “joshë” Alonson për një eksperiencë në Premier Ligw.
Një tjetër trajner që pëlqehet në ambientin e Liverpullit është edhe Roberto De Zerbi. Italiani njihet për stilin e tij modern dhe këtë ia ka dalë ta tregojë edhe në Angli me Brajtonin.
I treti në listën e Liverpullit është Tomas Frank. Danezi është në krye të Brentfordit prej vitit 2018 dhe te Liverpool e shohin shumë të ngjashëm taktikisht me Klopin, ndaj jo më kot Frank është ndër tre emrat kryesorë për të pasuar gjermanin.