Tre futbollist kyç mund largohen me trajnerin Klop, në vitin 2025
Tre lojtarë kyç të Liverpullit mund të ndjekin Jurgen Klopin duke u larguar nga “Anfield” kur kontratat e tyre të skadojnë në vitin 2025. Klopp bëri njoftimin tronditës të premten se do të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit pas nëntë vitesh.
Ky lajm erdhi si një goditje e madhe për tifozët e Liverpullit, të cilët e adhurojnë gjermanin pasi fitoi Premier Ligën, Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe Carabao Cup. Por ai mund të mos jetë i vetmi që mund të largohet nga “Anfield Roud”. Tre yjet kyç Virxhil van Dijk , Mohamed Sallah dhe Trent Aleksander-Arnold do t’i përfundojnë kontrata e tyre pas një viti dhe kjo mund të shënojë fundin për të tre, të cilët janë kthyer në superyje nën drejtimin e Klopp.
Sallah tashmë është lidhur me një largim për në Ligën Pro Saudite. Van Dijk u transferua pikërisht me kërkesën e Klopit në vitin 2018 për 75 milionë funte dhe ka qenë një gur themeli i suksesit të Liverpullit, ndërsa Aleksander-Arnold nuk ka njohur asnjë trajner tjetër përveç Klopit në “Anfield”, klubi i tij i fëmijërisë pas hyrjes nga akademia.
Reprezentuesi anglez tani konsiderohet si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë, pasi ka mësuar shumë nga 56-vjeçari.