
Tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan ende në arrati
Një ditë pas ngjarjes tragjike të së dielës në mesditë në Gjilan, ku tre persona humbën jetën, tre të dyshuarit – Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra – ende nuk janë arrestuar dhe vazhdojnë të jenë në arrati.
Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Adnan Rukiqi, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar. Sipas tij, janë njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe janë kryer kontrolle në bazë të dyshimeve për vendndodhjen e të dyshuarve, por deri më tani ata nuk janë gjetur.
I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, është i njohur për organet e drejtësisë dhe ka precedent penal për një sërë rastesh, përfshirë sulme fizike, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, deklaroi për media se menjëherë pas marrjes së informacionit, janë ndërmarrë veprimet e para në vendin e ngjarjes dhe janë realizuar urdhërkontrolle, por të dyshuarit nuk janë gjetur.
Sa i përket motivit të ngjarjes, Sadiku tha se është ende herët për të dhënë detaje, pasi do të merren në pyetje të dëmtuarit dhe hetimet do të vazhdojnë.
Nga ngjarja e rëndë janë plagosur gjithsej katër persona, tre prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Njëri nga viktimat vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët humbën jetën në spitalin rajonal të Gjilanit. Një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa një i pestë ka pësuar lëndime nga mjete të forta, jo nga armë zjarri.