Trotinetët elektrik vetëm për personat mbi 18 vjeç
Qeveria propozon ndryshime në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, me të cilat kufizohet përdorimi i trotinetëve elektrikë, ulet shpejtësia maksimale e lejuar dhe parashihet mundësia e konfiskimit të përkohshëm të tyre. Sipas propozimit, në të ardhmen trotinetët elektrikë do të mund të drejtohen vetëm nga persona mbi moshën 18-vjeçare, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar do të kufizohet në 20 kilometra në orë. Ndryshimet janë shqyrtuar në seancën plenare të Kuvendit. Përveç gjobave financiare, ligji parashikon edhe mundësinë e konfiskimit të përkohshëm të trotinetit elektrik për një periudhë prej 30 ditësh.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE dhe një nga propozuesit e ndryshimeve, Nikolla Micevski, deklaroi se nevoja për rregulla më të ashpra buron nga analizat e aksidenteve rrugore ku kanë qenë të përfshirë drejtues të trotinetëve elektrikë.
NIKOLLA MICEVSKI, KOORDINATOR I GRUPIT PARLAMENTAR TË VMRO-DPMNE-SË
“Po ndërhyhet në shpejtësi, pra shpejtësia maksimale të jetë deri në 20 km në orë me qëllim uljen e shkeljeve me trotinetët elektrikë, po rritet kufiri i moshës, mosha minimale 18 vjeç për drejtimin e trotinetëve. Kufiri i moshës po rritet sepse në më shumë se gjysmën e aksidenteve me trotinetë, ato drejtoheshin nga persona të moshës 16 dhe 17 vjeç. Propozimi është rigoroz, por lëmë hapësirë për amendamente të ardhshme”.
Micevski shtoi se gjatë dy viteve e gjysmë të fundit në aksidente trafiku kanë qenë të përfshirë rreth 2.000 persona, ku 46 prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa 556 kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Edhe pse masat e propozuara konsiderohen të rrepta, ai theksoi se ato lënë hapësirë për ndryshime dhe plotësime të mëtejshme në bazë të analizave të ardhshme.
Samir Mustafa /SHENJA/