
U tha, u bë: Arbëria e Bekimit dhe Ibrahimit afër VLEN-it
Sipas informacioneve jozyrtare, qëllimi i vërtetë pas kësaj lëvizjeje është krijimi i një strukture formale politike, e cila pas regjistrimit pritet t’i bashkohet koalicionit VLEN, në një përpjekje për të krijuar perceptimin e rritjes dhe zgjerimit të këtij fronti opozitar. Ky ishte informacioni i publikuar në Flaka, pak ditë para se të zyrtarizohet iniciativa nga Bekim Fazliu, Orhan Ibrahimi dhe Gazmend Aliu – ish-deputetë të Partisë Demokratike Shqiptare.
Dhe sot, pas një sërë kontaktesh joformale të zhvilluara ditëve të fundit, sot u mbajt edhe takimi i parë zyrtar mes VLEN të përfaqësuar nga Izet Mexhiti dhe Zeqirija Ibraimi dhe të Lëvizjes Arbëria, të përfaqësuar nga Orhan Ibrahimi dhe Bekim Fazliu.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe mirëkuptimi, duke reflektuar frymën e përgjegjësisë politike dhe nevojën për bashkëpunim të sinqertë mes forcave që ndajnë aspirata të përbashkëta për të ardhmen e shqiptarëve.
Qëllimi i diskutimeve ishte shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim në zgjedhjet lokale, duke u përqendruar në krijimin e një platforme të përbashkët që do t’i shërbejë interesit qytetar dhe përfaqësimit të denjë politik.
Palët u pajtuan që dialogu i nisur të vazhdojë me krijimin e grupeve të punës, duke hapur rrugën për hapa të tjerë konkretë në ditët dhe javët në vijim.
Në këtë takim, mbi dallimet e natyrshme, mbizotëroi bindja se e ardhmja e shqiptarëve ndërtohet mbi bashkëpunim të ndershëm.
The post U tha, u bë: Arbëria e Bekimit dhe Ibrahimit afër VLEN-it appeared first on Flaka, në çdo lajm… .