
Ualker në prag të kalimit te Milani, trajneri Konseisao kërkon yllin portugez te Çellsi
Milani po përgatitet për goditjen e parë në merkaton dimërore. Kajll Ualker është në prag të transferimit. Mbrojtësi anglez do të bashkohet me kuqezinjtë në formë huazimi nga Man. Siti për një milion euro, me të drejtën e blerjes në verë, të përcaktuar në 5 milionë.
Me 18 tituj të fituar me Siti dhe gati 100 ndeshje me kombëtaren angleze, Ualker sjell përvojë e mentalitet fitues në shërbim të trajnerit të ri Serhio Konseisao, i cili mund të marrë edhe një dhuratë tjetër – Zhoao Feliks.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, pas lënies mënjanë të Rashford për shkak të çështjeve rregullatore, tani ylli i Çellsit, Zhoao Feliks, është në “pole position” për sulmin kuqezi. Agjenti Horhe Mendes, i cili përfaqëson si sulmuesin, ashtu edhe trajnerin e Milanit, po punon për të finalizuar marrëveshjen.
Milani synon ta sigurojë Feliksin me huazim nga Çellsi dhe mund të përfshijë një klauzolë për blerjen e tij. Çellsi e ka blerë 52 milionë euro verën e kaluar dhe lojtari portugez ka pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon.