
Udhëtimi shpirtëror në Horrën e Arbëreshëve
AA
Nga Arsim Sinani
Rikthimi në Horrën e Arbëreshëve nuk është vetëm një vizitë, por një udhëtim në kohë e shpirt. Qysh në çastet e para, fryma e traditës dhe zëri i historisë na përqafon ngado.
Rrugicat e ngushta, shtëpitë me gurë, dritaret e zbukuruara dhe flamujt kuq e zi, të vendosur me krenari në 537-vjetorin e themelimit të Horres, na përcillnin heshturazi një mesazh të fortë: “Ne jemi ende këtu, të gjallë e krenarë”. E krenar qëndron flamuri shqiptar në zemër të Piana del Albanesi, dhe na fton në udhëtimin tonë të mundimshëm mbi malet e Sicilisë, aty ku jetojnë arbëreshët tanë.
Festa sapo kishte filluar. Në shesh, te rrugicat me gurë, tingujt e muzikës moderne të rokut përziheshin me zërin e gjallë të të rinjve arbëreshë dhe vizitorëve nga mbarë bota. Një mbrëmje ndryshe ku të gjithë argëtoheshin dhe festonin pasi afrohej dita e madhe e mbijetesës dhe e krenarisë sonë.
Duke provuar kanolin e arbëreshëve (me gjizë dhie), në lokalin e familjes Petta, e takuam edhe zyrtaren e Ambasadës së Kosovës në Londër, duke dëshmuar bashkë se Mitrovica e Tetova, Kosova e Maqedonia, Shqipëria e diaspora bëhen bashkë në këtë vend të shenjtë të kujtesës. Ndrojmë disa fjalë dhe flasim për udhëtimin tonë. I ftoj të më vizitojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndjenjë e bukur të takosh shqiptarë nga gjithë bota në Horrën e Arbëreshëve.
Një moment i paharruar ishte takimi me vëllezërit Stasi, që na pritën me ngrohtësinë e tyre. Në Palermo ata e ruajnë fort identitetin shqiptar e arbëresh. Restorantet e tyre në zemër të Palermos, me shqiponjën dykrenare, e zbukurojnë këtë shesh madhështor. Takimi ishte i rastësishëm. Pasi flas me Ferkiun që ka ardhur nga Amerika, një kalimtar më pyet: “Ju jeni shqiptar?” E pohoj dhe më prezantohet: “Jam Gjergj Stassi, gjegjësisht Kuçi.” Çfarë ndjenje e bukur… “Do jeni në festime te Horra?” më pyeti Gjergji; dhe unë ia pohoj.
T’i kthehem rrëfimit tim. Në Horrë e vizituam edhe familjen e djaloshit Giuseppe Mandalà, i cili na shoqëroi nëpër rrugicat e Horres, duke na treguar shtëpitë e vjetra, muralet dhe monumentet. Na e tregoi edhe shtëpinë e familjes së tyre. Në darkën tradicionale arbëreshe të familjes Mandalà shijuam ushqimin e trashëguar brez pas brezi, ku çdo shije na fliste për rrënjët e thella të këtij komuniteti. Ruaj një komunikim me familjen Mandalà dhe këtë djalosh nga festimet e vendosjes së shtatores së Skënderbeut. Xhuzepe më flet për ëndrrën e tij për ta vizituar Shqipërinë, sytë i shkëlqejnë…
Lidhem me kamerë me mikun tim Naser Pajazitin në Kumanovë dhe i them se jam te Xhuzepe. Pasi ndrojnë disa fjalë, Naseri më thotë: do ta bëjmë dokumentarin për Horrën.
Aty afër tavolinës tonë disa amerikanë flasin për udhëtimet e tyre në Ballkan, nën tingujt e muzikës në shesh, që fton dhe provokon.
Pasi e kisha telefonuar më herët, u takuam te sheshi i Horrës me kryetarin e komunës, Rosario Peta, i cili miqve me të cilët ishim u tha: “Profesorin Arsim Sinani e kemi gjysmë arbëresh.” Kjo fjali flet shumë për lidhjen shpirtërore mes shqiptarëve dhe arbëreshëve që nuk njeh kohë, por vetëm thellohet. Miku im i mirë Loris Kastrioti, i cili më ka njohur me këta miq të mirë, mungon, por qëndrimi i shtatores së Skënderbeut sikur ma zbut mungesën e tij.
Bashkë me Ferki Bekteshin dhe Rron Sinanin, ndaluam pranë muraleve të bukura të qytetit dhe i fotografuam ato si kujtime të gjalla të kulturës arbërore, që jeton përmes artit dhe ngjyrave. Sa më shumë që ecnim nëpër gurët dhe rrugicat, aq më shumë e ndienim se jemi në shtëpinë tonë, te vëllezërit dhe motrat tona arbëreshe.
Minutat kalojnë shpejt, dritat dhe ndjenja e festimit ndihet gjithëkund aty ku kalojmë. Kalojmë sërish, duke dalë nga rrugicat e Piana del Albanesi, dhe e ndiejmë madhështinë e një feste që afrohet. Ferkiu më thotë: si duket Horra e Arbëreshëve si një hënë e ndritshme.
Ndërsa u larguam nga Horra, sytë tanë mbetën pas, mbi dritat e qytetit. Nga larg ato drita formonin simbolin e shqiponjës dykrenare, sikur të na thoshin:
“Ne jemi arbëreshë – gjaku i shenjtë i shqiptarëve.”
Ky udhëtim nuk ishte thjesht një vizitë. Është një rikthim në vetvete, në identitetin tonë të përbashkët, në kujtesën që nuk shuhet kurrë. Shpesh më pyesin pse kaq shpesh udhëton te Horra e Arbëreshëve; këtë nuk mund ta shpjegoj, pasi duhet vizituar për ta ndier erën e fortë të identitetit arbëror, të arbëreshëve tanë.