
UEJL me rektor të ri, Ibrahimi zëvendëson Bexhetin
AA
Sadudin Ibrahimi u zotua se universiteti do të vazhdojë me zhvillim të menduar dhe ambicioz, duke zgjeruar ndikimin e tij në arsimin e lartë në vend dhe rajon
Urim HASIPI
Tetovë, 3 shtator – Pas shtatë vitesh në krye të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, largohet Abdylmenaf Bexheti dhe në vend të tij do të jetë Sadudin Ibrahimi. Me këtë rast në praninë e përfaqësuesve të korit diplomatik, rektorëve të universiteteve nga vendi, Shqipëria dhe Kosova, personaliteteve të jetës shoqërore e të biznesit, familjarëve, stafit akademik dhe studentëve, në Universitetin e Evropës Juglindore u mbajt ceremonia solemne e inaugurimit të rektorit të ri, Sadudin Ibraimi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bordit të UEJL-së, profesor Klaus Tochtermann, theksoi se para se të përqafohet e ardhmja, duhet të shprehet mirënjohje e thellë për rektorin e deritanishëm, Abdylmenaf Bexheti. Ai vlerësoi se gjatë mandatit të tij, Bexheti e ka udhëhequr universitetin me vizion, integritet dhe përkushtim të palëkundur ndaj ekselencës akademike, duke e konsoliduar UEJL-në si një qendër të rëndësishme rajonale të arsimit të lartë, që nxit inovacionin, gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Tochtermann theksoi gjithashtu se zgjedhja e profesor Sadudin Ibraimit, si rektor i ri është një moment i rëndësishëm në zhvillimin e institucionit dhe shprehje e besimit të Bordit dhe komunitetit akademik në aftësitë e tij drejtuese. Pas dorëzimit të mandatit, rektori i mëparshëm, Abdylmenaf Bexheti, tha se “sot është dita e bartjes së stafetës” dhe shprehu bindjen se rektori i ri do ta çojë universitetin drejt kapitujve edhe më të ndritur. Ai nënvizoi se Prof. Ibraimi e ka dëshmuar kapacitetin e tij gjatë gjithë kohës dhe se do ta dinamizojë më tej zhvillimin e universitetit, duke pasur përkrahjen e stafit dhe të gjithë komunitetit universitar.
Në fjalimin e tij, rektori i ri, profesor Sadudin Ibraimi, theksoi se këtë përgjegjësi e merr me mirënjohje të thellë ndaj paraardhësve dhe me vizion të qartë për ndërtimin e mëtejshëm mbi bazën e krijuar. Ai u zotua se universiteti do të vazhdojë me zhvillim të menduar dhe ambicioz, duke zgjeruar ndikimin e tij në arsimin e lartë në vend dhe rajon.
“Le ta ndërtojmë së bashku një universitet pa kufij, që promovon diversitetin, barazinë, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj shoqërisë; një universitet që zhvillon jo vetëm dijen, por edhe të qenit njeri”, u shpreh ai.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, theksoi se dikasteri i arsimit do të vazhdojë të mbështesë këtë universitet. “Jemi të bindur se me përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj,do të udhëhiqni me sukses universitetin drejt sfidave të reja duke i dhënë prioritet inovacionit, digjitalizimit dhe përfshirjes së studentëve në procesin vendimmarrës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të jetë partner i afërt i universitetit tuaj dhe universiteteve tjera në vend”, tha Aliu. Ceremonia u përmbyll me program artistik. (koha.mk)