Ulja e pagave revolton gjykatësit
Shoqata e gjykatësve kërcënon se do ta padisë Gjykatën Kushtetuese në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pasi ajo hodhi poshtë iniciativën e tyre për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjit që muaj më parë uli koeficientin e pagave të gjykatësve. Sipas tyre, fakti që ligji për uljen e koeficientit të rrogave të gjykatësve u miratua në fund të shkurtit dhe do të vlente nga fillimi i muajit, është shkelje e rendit juridik.
“Refuzimi i iniciativës për anulimin e dispozitave të Ligjit për pagat e gjyqtarëve, i cili u miratua më 29 shkurt 2024, dhe fillon të zbatohet në mënyrë retroaktive nga 1 shkurti 2024, është skandaloz, i papranueshëm dhe në fakt rrëzon sistemin juridik të vendi. Ky vendim është jashtëzakonisht i rrezikshëm për sistemin juridik, sepse lejon zbatimin retroaktiv të ligjeve, pa përjashtime.
Në këtë kuptim, në të ardhmen do të mund të bëheshin manipulime dhe keqpërdorime të shumta në zbatimin e ligjeve që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë qytetarëve, dhe njëkohësisht do të krijohej pasiguri juridike në dhënien e drejtësisë, e cila është në kundërshtim me detyrimet e marra ndërkombëtare të shtetit”, thonë nga Shoqata e gjykatësve.
Më 15 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos fillojë procedurë për Ligjin për ndryshimin e ligjit për pagat e gjyqtarëve dhe për ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Nga Shoqata e gjykatësve dhe Këshilli gjyqësor atëherë thanë se ligjvënësi bëri një ndërhyrje antikushtetuese dhe të paligjshme në autonominë dhe pavarësinë e gjyqësorit përmes uljes së paligjshme të pagave. Kushtetuesja tha atëherë se janë të papranueshme dhe të pabaza pretendimet e Këshillit Gjyqësor dhe Shoqatës së Gjyqtarëve se ulja e koeficientit për llogaritjen e pagave të tyre po kërcënon pavarësinë dhe autonominë e gjyqësorit. Gjykata vendosi se ulja e koeficientëve me 13 për qind është bërë me ligj, që është në kompetencë të Kuvendit.
Tani nga Gjykata Kushtetuese thonë se vendimi i tyre është i prerë.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme. Gjykata vendosi për nismën në fjalë, por një pjesë e reagimit të Shoqatës së Gjyqtarëve nuk korrespondon me kulturën kushtetuese, ligjore dhe gjyqësore, të cilat janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për rikthimin e reputacionit dhe besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë dhe në përgjithësi në institucionet e sistemit”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Kuvendi, pas një sërë reagimesh në opinion, në fillim të vitit uli koeficientët për llogaritjen e të gjitha pagave zyrtare, përfshirë edhe të gjykatësve. /Alsat.mk