UNDP do të ndihmojë Shkupin me tre projekte të rëndësishme
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të ndihmojë Qytetin e Shkupit në realizimin e tre projekteve të rëndësishme që synojnë përmirësimin e menaxhimit financiar, promovimin kulturor dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projekti i parë parashikon rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në Komunën Qendër. Ky pilot-projekt synon krijimin e një sistemi modern dhe plotësisht të digjitalizuar për taksën e pronës, i cili do të rrisë transparencën, do të përmirësojë efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave dhe do të forcojë stabilitetin fiskal në nivel lokal.
Projekti i dytë ka të bëjë me mbështetjen për organizimin e konferencës së parë ndërkombëtare, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt realizimit të vizionit që Shkupi të shpallet Kryeqyteti Evropian i Kulturës në vitin 2028.
Ndërkaq, projekti i tretë fokusohet në hartimin e Planit të parë gjithëpërfshirës për ajër të pastër, i bazuar në të dhëna konkrete. Ky dokument do të përfshijë masa të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe vlerësime financiare, duke ofruar një udhërrëfyes konkret për uljen sistematike të ndotjes së ajrit – një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet qyteti i Shkupit.