Universiteti Nënë Tereza organizon “Javën e Certifikimeve Falas” për maturantë dhe të rinj
Nga data 18 deri më 21 maj, Universiteti Nënë Tereza do të organizojë “Javën e Certifikimeve Falas”, një iniciativë edukative që synon t’u ofrojë maturantëve, studentëve dhe qytetarëve të interesuar mundësinë për të fituar njohuri praktike dhe certifikata profesionale pa pagesë.
Aktivitetet do të zhvillohen çdo ditë duke filluar nga ora 15:00 në laboratorët dhe sallat e universitetit, ku pjesëmarrësit do të ndjekin trajnime intensive në fusha të ndryshme profesionale dhe teknologjike.
Sipas organizatorëve, programi është konceptuar për t’i përgatitur të rinjtë për tregun modern të punës, duke kombinuar mësimin praktik me mentorimin nga stafi akademik i UNT-së. Në përfundim të secilit modul, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata përkatëse.
Një nga modulet që ka tërhequr interes të veçantë është ai i Fakultetit të Shkencave Informatike, “Krijimi dhe Administrimi i Web Faqeve”, i cili do të mbahet për katër ditë intensive në laboratorin 208.
Universiteti fton veçanërisht maturantët e gjeneratës 2026 që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të provuar nga afër jetën studentore dhe për të forcuar CV-në e tyre që në hapat e parë të karrierës.
Java do të përmbyllet me një ceremoni festive për ndarjen e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit që përfundojnë modulet trajnuese.