UNT dorëzon vërejtjet për Ligjin për Arsimin e Lartë
Shkup – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka përfunduar dhe dorëzuar zyrtarisht vërejtjet dhe komentet përfundimtare lidhur me tre propozimligjet për Ligjin për Arsimin e Lartë, duke konfirmuar angazhimin e tij aktiv në zhvillimin e sistemit arsimor në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, dokumenti është hartuar në mënyrë të koordinuar nga Komisioni Universitar i UNT-së, nën udhëheqjen e Dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Aleksandar Petkovski.
Pas përgatitjes, vërejtjet i janë nënshtruar një procesi të detajuar shqyrtimi institucional dhe janë miratuar nga organet më të larta të Universitetit, përkatësisht Rektorati dhe Senati. Ky proces ka siguruar një qasje të unifikuar dhe të harmonizuar institucionale ndaj një çështjeje me rëndësi të veçantë për arsimin e lartë në vend.
Dokumenti përkatës është dorëzuar zyrtarisht tek Ministrja e Arsimit në formë të shtypur (hard copy), ndërsa njëkohësisht është evidentuar dhe arkivuar në përputhje me procedurat administrative përkatëse.
Përmes këtij veprimi, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup riafirmon përkushtimin e tij për të kontribuar në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme në përmirësimin dhe avancimin e kornizës ligjore në fushën e arsimit të lartë.