
“Urime kryetar”, akuzohet publikisht për punësimin e nipit, hesht Alban Hyseni

Landrit Kamberi, person i afërt me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, është punësuar zjarrfikës në këtë komunë. Sipas një konkursi të hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme, ai ka grumbulluar pikët e mjaftueshme për të marrë këtë detyrë. I punësuari Kamberi, ka bllokuar rrjetin e tij social “Facebook”, pak pas daljes se rezultateve në publik. Ndërsa kryetari Hyseni, ka zgjedhur të hesht lidhur me punësimin e tij.
Gazeta Insajderi
Në konkursin e MPB-së, të datës 18.02.2025, Kamberi ka grumbulluar 96.44 pikë.
Ai ka marrë pozitën e zjarrfikësit në Gjilan.


I njëjti ka afërsi me kryetarin e kësaj komunë që vjen nga VV.
Gazeta Insajderi ka siguruar një foto të tyre së bashku.

Landrit Kamberi, si duket për të mos i prishur punë Hysenit bllokoi rrjetin social në “Facebook”.
Mirëpo, Insajderi ka arritur të sigurojë disa screenshot nga profili i tij pak para se ta mbyllte.
Ai kishte shpërndarë disa herë postimet e kryetarit Hyseni.


Cila është lidhja e Hysenit me Landrit Kamberin?
PDK, dega në Gjilan, ka akuzuar publikisht kryetarin Hyseni se ka punësuar nipin e tij Landrit Kamberin si zjarrfikës në Gjilan.
Sipas PDK-së, për qytetarët e Gjilanit është e pamundur të konkurrojnë sepse kryetari po e punëson farefisin.
“Vazhdojnë punësimet familjare, Alban Hyseni e punësoi nipin e tij Landrit Kamberin si zjarrëfikës në Gjilan Me konkurse, apo pa konkurse punësimet familjare vazhdojnë të jenë prioritet i kryetarit të Gjilanit. Pas kunatave të tij, baxhanakëve, balldëskave, dajallarëve, ju erdhi rendi punësimeve të nipave të kryetarit. Ka rritje të përmbushjeve të premtimeve. Për qytetarët e zakontë të Gjilanit është e pamundur të ia mësynë konkurseve, përderisa kryetari i Gjilanit t’a punësojë tërë farefisin e tij. E kuptueshme është kjo çoroditje e tij, sepse nuk i kanë mbetë shumë muaj derisa të largohet nga pushteti, zgjedhjet lokale janë fundi i tij politik dhe i keqpërdorimit të tij me paranë e qytetarëve të Gjilanit”, thuhet në reagim.
Edhe Lëvizja Vatra, ka reaguar duke shprehur shqetësim për punësimin e tij.
Aty thuhet se punësimi i nipit nga Hyseni tregon se institucionet publike po shndërrohen në vend punësimi për familjarët e pushtetit.
“Kryetar, urime! edhe nipi tu punësua! Lëvizja Vatra shpreh shqetësimin e saj për vazhdimin e praktikave të nepotizmit në Komunën e Gjilanit nga kryetari Alban Hyseni. Pas punësimit të kunatës dhe familjarëve të tjerë të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tani është punësuar edhe nipi i z. Hyseni si zjarrfikës, duke dëshmuar se institucionet publike po shndërrohen në vend punësimi për familjarët e pushtetit.Kjo qasje dëmton besimin e qytetarëve në institucionet komunale, shkel parimet e barazisë dhe meritokracisë, dhe thellon zhgënjimin e qytetarëve ndaj qeverisjes lokale. Në vend që të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë, vazhdohet me praktika klienteliste”, thuhet në reagim.
Gazeta Insajderi, ka provuar të marrë një përgjigje nga Alban Hyseni, por ai ka zgjedhur të hesht./Insajderi.org/